GAP Monitor

E kemi vërejtur që deri më tani ka ekzistuar një mundësi reale që Qeveria të marrë vendime të rëndësishme mbi çështje të ndryshme pa u vënë re nga publiku kosovar. Arsyet për këtë qëndrojnë në mungesën e informimit të plotë përmes botimeve qeveritare, mungesën e monitorimit të deritashëm të vendimeve nga ndonjë OJQ dhe mungesën e hapësirës që u jepet vendimeve të Qeverisë në media.

 Që kjo të mos ndodhë më, kemi vendosur që çdo muaj, përmes GAP Monitorit të vendimeve të Qeverisë, të raportojmë më në detaje mbi të gjitha vendimet e Qeverisë së Kosovës. Këtë do ta bëjmë jo vetëm duke ju informuar mbi titujt e vendimeve që janë marrë gjatë muajit, por duke u thelluar pak më shumë në secilin prej tyre, për ta analizuar arsyeshmërinë, historikun dhe ligjshmërinë e secilit vendim. E kjo nuk përfundon me kaq: ne gjithashtu do të mundohemi që secilin vendim të marrë nga Qeveria ta përcjellim deri në zbatim dhe të raportojmë mbi problemet apo ngecjet eventuale.

E gjithë kjo në përpjekje të përhershme që ta ngushtojmë hendekun në mes qeverisjes dhe qytetarëve të Kosovës.

Të gjithë numrat e GAP Monitor mund ti lexoni në rubriken "Publikimet".